Tuesday 9 November 2010

Shqiptarët, liria për të lëvizur dhe liria për të qëndruar

E zëmë se kryetari i shtetit ka të drejtë kur thotë që liberalizimi i vizave është dita më e shënuar për shqiptarët që nga shpallja e pavarësisë dhe rrëzimi i komunizmit. Dhe supozojmë se 8 nëntori vërtet do të shkruhet me germa të arta në historinë e Shqipërisë siç deklaroi kryeministri pak javë më parë (natyrisht për arsye të ndryshme nga ato që kishim dikur). Ne fund të fundit, historinë e lexojmë pak dhe keq, nuk vuajmë nga kapitujt e tepërt dhe ato kryesorët i shkruajmë bardhë e zi. Germat e arta na hyjnë në punë. Na ngrenë humorin. Na shtojnë larminë. Por pyetja mbetet: pse quhet liberalizimi i vizave një nga fitoret më të shënuara?

Ka nga ata, duke filluar nga kryetari i opozitës, që deklarojnë se liberalizimi i vizave i jep fund luftës së shqiptarëve për t’iu njohur një nga të drejtat më themelore të njeriut, e drejta për të lëvizur të lirë (pa dallim feje, krahine dhe ideje, në qoftë se doni përkufizimin e saktë). Por kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Në fakt është një gënjeshtër e madhe. Shqiptarët shpejt do të mësojnë (nëse akoma nuk e kanë dëgjuar) se liria e lëvizjes nuk iu njihet pa kushte. Udhëtimet lejohen vetëm për vizita prej nëntëdhjetë ditësh. Lejohen vetëm në disa vende te caktuara (për shembull ato te zonës Shengen si Italia e Franca dhe jo në Britaninë e madhe). Lejohen vetëm për disa qëllime e jo të tjera (për shembull për turizëm e jo për punë). Tani krahasojeni pak të drejtën për të lëvizur të lirë me një të drejtë tjetër themelore që kanë për zemër shqiptarët. Le të marrim të drejtën e fjalës. Përfytyroni si do të ndjeheshit sikur autoritetet e vendit t’ju përcillnin si fitore historike lajmin që keni të drejtë të shprehni opinionin tuaj lirisht për një shumë prej dymbëdhjetë javësh çdo njëqindetetëdhjetë ditë, vetëm në disa qytete të caktuar, si për shembull në Shkodër dhe jo në Tiranë, e nëse keni ndërmend ta ushtroni për disa qëllime e jo për të tjera, për shembull për te recituar vjersha por jo për tu ankuar. Edhe kjo mund të quhej ngjarje historike por mbase jo nga ato që shoqërohen me fishekzjarre në sheshe e duhen shënuar me germa të arta. Tani më thoni cili është ndryshimi nga lëvizja e kushtëzuar.

Këtu dikush mund të përgjigjet se ajo që ka rëndësi është ndikimi i liberalizimit të hyrje daljeve mbi integrimin e Shqipërisë në Europë, si një nga hapat vendimtare për të bërë pjesë në familjen e bashkuar. Harrojnë këta personazhe se e ashtuquajtura Europë e bashkuar është po edhe aq e ndarë, e ndarë nga zhvillimi i ndryshëm ekonomik i vendeve anëtare, nga fakti që çdo dokument zyrtar duhet të përkthehet në njëzetetre gjuhë para se të shpërndahet, nga mosmarrëveshjet historike midis qytetarëve dhe nga tradita politike që i detyrojnë institucionet europiane të kalojnë vendimet (si ai i vizave) nga Komisioni në Parlament e nga Parlamenti në Këshill të ministrave pasi i mungon vullneti politik të shprehen me një zë të përbashkët. Europa e bashkuar sot është, nesër mund të shpërbëhet. Shqiptarët e sotëm që mendojnë se e ardhmja e lulëzuar e vendit varet nga integrimi në strukturat evropiane gabohen po aq sa shqiptarët e djeshëm kur shpresonin se aleanca me Kinën apo marrëveshjet me Bashkimin Sovjetik do ta çonin popullin përpara.

Mbase, dikush do të thotë, arsyeja e vërtetë e fitores historike qëndron në faktin që, pavarësisht nga fatet europiane të Shqipërisë, liberalizimi i vizave përforcon vlerat demokratike dhe drejtimin perëndimor të vendit (sikur demokracia të mos ishte demokraci po të mos shihte nga Europa perëndimore). Apologjistët e Europës këtu harrojnë se që demokracia të ketë vlerë, duhet të shprehë vullnetin politik të popullit, atë vullnet që krijohet nëpërmjet zhvillimeve të brendshme politike e jo kur një dorë burokratësh në Bruksel vendosin kush hyn e kush del, çfarë ligjesh i përshtaten Shqipërisë e çfarë e rrezikojnë.

Po atëherë pse quhet dita e liberalizimit të vizave një nga fitoret më të shënuara? Jo sepse shqiptarët më në fund do të çlirojnë pasionet turistike e do të vizitojnë kryeveprat e Perëndimit. Për të pasurit lëvizja është e lirë sa herë që mund të blihet, për të varfërit mbetet e kushtëzuar edhe kur është teknikisht e lirë. Mund të jesh i lirë të shkosh në Stokholm apo Zyrih siç të mësojnë tabelat me shigjeta këto ditë. Por kur rroga mujore nuk të arrin të blesh biletën e furgonit deri në Tiranë vështirë se ke arsye për të festuar.

Megjithatë dita e liberalizimit të vizave mbetet ditë historike për shqiptarët. Mbetet ditë për tu shënuar, pse jo edhe me germa të arta. Shqiptarët do të bëjnë si do të bëjnë e do ti marrin edhe një herë rrugët e perëndimit. Për aq ditë sa u është dhënë urdhër, për ato qëllime që u janë sqaruar. Do të nisen të vizitojnë të afërmit, ata që jetojnë në Mynih sepse nuk gjenin punë në Elbasan. Do të trokasin spitaleve të Barit sepse në Kukës mungojnë shtretërit. Do të ndjekin kurse kualifikimi në Marsejë sepse në Tiranë shumica e pedagogëve janë larguar. Shkurt, shqiptarët vërtet do ta përdorin ata lirinë e cunguar për të lëvizur që sot u është dhuruar. Do ta përdorin e do ta festojnë. Pak liri për të lëvizur nuk është aq keq kur të mungon liria për të qëndruar.

(Panorama, 10 nentor 2010)

No comments:

Post a Comment