Friday 19 March 2010

Çështja K.

Njerëzimi i shtron vetes vetëm probleme që e di paraprakisht se e ka aftësinë t’i zgjidhë – ka shkruar dikur revolucionari mjekërgjatë, të cilin e kemi hedhur në bodrumin e rraqeve të historisë. Nëse kjo thënie ka ende vlerë, të paktën njëra nga forcat intelektuale që hapin e mbyllin pareshtur dosjen K. duke u rrekur t’i japin kuptim, gabon. Gabojnë ata që ngulin këmbë se flasim përçart, kur flasim për lirinë, kur themi se në Shqipëri liria u mungon atyre që i mbyt lagështia nëpër dhoma spitalesh e që me zor e shtyjnë deri në fund të muajit, por jo atyre që përdridhen nëpër lokale e pispillosen nëpër televizione. Gabojnë edhe ata që deklarojnë se shqiptarët paskan çështje më urgjente për të zgjidhur sesa zgjerimi i të drejtave civile. Gabojnë sepse nuk marrin parasysh që fakti se K. vendos të rrëfehet pikërisht sot, është domethënës. K. nuk është as i pari e as i fundit shqiptar me prirje seksuale alternative. Nuk është i pari që përballon ata që ngrenë supet e ata që përplasin këmbët, ata që tundin kokën e ata që mprehin thikat. Nuk është i fundit që përballohet me fyerjet e bashkëqytetarëve dhe apologjitë e analistëve.

K. është ndryshe. Ndryshe sepse vendos të rrëfehet. E përderisa vendos të rrëfehet, e di çfarë ka përpara dhe sidomos e di që nuk është vetëm. E di që shumë nga bashkëqytetarët e tij do t’i vërsulen, do ta fyejnë, do ta ngacmojnë. Por di edhe që, në dallim nga paraardhësit, atyre që u nxihej jeta ngaqë dënoheshin për vepra imorale, K. nuk ka nevojë të skuqet, të fshihet, të bëjë sikur. K. e di se në krah të tij do të marshojnë dhjetëra, ndoshta qindra qytetarë, analistë, akademikë, aktivistë që do të ulen e do t’i shpjegojnë banorëve lezhianë, e jo vetëm atyre, se homoseksualiteti nuk është krim, nuk është turp, nuk është sigurisht as modë. Shkurt, K. e di që është hero. Por hero i një çështjeje me zgjidhje!

Veç zgjidhja nuk jepet duke parë lart. Zgjidhja nuk jepet kur ata që valëvisin flamurin e ylbertë të çështjes K., ata që përfaqësojnë Shqipërinë e reformave, të përparimit, të ndarjes me të kaluarën, nxjerrin fletoret mbi tavolinë dhe marrin shënime tek u diktohet lista e ligjeve që Shqipërisë i nevojiten për t’u renditur mes shteteve të qytetëruar. Apo kur marrin të komentojnë letrat e përfaqësuesve diplomatikë të të ashtuquajturave vende të përparuar, atyre që e vërejnë Shqipërinë me buzëqeshje gjysmë të ngazëllyer e gjysmë të mëshirshme, si ajo me të cilën vëren prindi fëmijën kur përsërit gabime të cilat më parë i ka bërë vetë. Që i diktojnë standarde e i japin afate: kjo bëhet, kjo s’bëhet, këtu e keni mirë, aty e keni keq.

Zgjidhja nuk jepet as kur partia e përparimit merr tone kryqëzate për të vënë në pah mungesën e tolerancës, arsimimit, vullnetit për të kuptuar. Ose kur tallet me ata që nuk hedhin hapa me kohën. Kundërshtarët e K.-së nuk janë fanatikë të marrë. Nuk janë as kukulla që vihen në lëvizje nga forca të djallëzuara. Janë pjesë e Shqipërisë. E Shqipërisë që ngrihet në mëngjes, del për kafe e fillon bisedën: “E more vesh, filani kështu e ashtu”. “Shiko ajo ç’paska veshur”. “Dëgjo, mos i thuaj njeriu”. Kjo Shqipëri kërkon kohë për të kuptuar. Kërkon hapësirë për të thënë se ç’mendon. Ndoshta mendon gjërat e gabuara. Ndoshta mbron tradita që kanë zënë kore. Por mendimet e traditat nuk vërtiten duke i kthyer çështjet politike në probleme morale. Duke i urdhëruar shqiptarët si duhet të sillen, që të mos ndihen ngushtë kur të përballohen me pjesën e përparuar të botës. E drejta dhe e padrejta nuk mbllaçiten në faqe gazetash e as në mbledhje komisionesh. E drejta dhe e pa drejta janë pjesë e vullnetit politik, atij vullneti që shqiptarëve u mungon.

Pra çështja K. nuk është fatkeqësia e radhës e opinionit publik. Është një nga ato probleme që ngrihen sepse ka mundësi t’u jepet zgjidhje. Është një rast i rrallë, për sa i përket Shqipërisë. Ku vetë debati, për sa kohë mbetet i natyrshëm e i pakushtëzuar, përbën një hap përpara, një hap drejt sqarimit, në fund të fundit drejt progresit. Ku Shqipëria e emancipimit tërheq atë të status-quo-së. Ku vlerat në lojë janë pak a shumë të njohura, ku ndryshimi midis parimeve pasqyrohet në konfliktet e opinioneve. Çështja K. ka një përgjigje. Është vetëm çështje kohe.

Ndryshe nga shumë e shumë çështje të tjera nga ato me të cilat shqiptarët përballen çdo ditë dhe mbi të cilat nuk dinë se ç’të mendojnë. E prandaj dhe nuk protestojnë.

(Panorama 19. 3. 2010)

No comments:

Post a Comment