Tuesday 9 March 2010

E ardhmja me barkun bosh

E ardhmja me barkun bosh. Tragjikomedi e re me numër të pacaktuar aktesh.

Personazhe kryesorë: hë për hë një popull i njohur. Ca emra në gjuhë të huaj. Këta të fundit të panjohur. Por thuhet të rëndësishem. Thuhet. Thuhet me përvojë. Nga tokat ku dielli ngryset. Tokat e çliruara. Thuhet. Në sfond sheshe me barrikada të vjedhura nga Revolucioni francez, zjarre të shuar e parrulla të braktisura. Pluhur e hi. Hi për t'u zhgërryer. Pluhur sa të duash. Emrat në gjuhë të huaj veshin xhaketa gri. Të gjithë të tjerët janë lakuriq.

Fituesit dhe humbësit. Dalin humbësit dhe hyjnë fituesit. Ose dalin fituesit dhe hyjne humbësit. Pak rëndësi ka interpretimi. Interpretim nuk ka. Që të interpretosh duhet të kuptosh. Që të kuptosh duhet të vëresh. Po kush vëren. Është errësirë. Në errësirë nuk vërehet. Në errësirë vetëm kërkohet. Preket pak. Ose shqelmohet. Në errësirë lëvizet me qiri. Qiriu ndriçon gjërat që nuk duhen. Ato që duhen fshihen. Ose nuk dinë të kërkohen. Në errësirë nuk ka interpretim. Interpretimi është sekret. Thuhet se sekretin e kanë xhaketat. Thuhet.

Lexohen gazeta. Hahen gazeta. Dëgjohen lajme. Villen. Televizioni shtetëror. Jashtëqitje e vështirë. Televizioni privat. Jashtëqitje e hollë. Pështjellim në stomak, trup, kokë. Fytyra të shpërfytyruara. Sy të kërcyer. Letra me sy. Sy pa vlerë. Letra me vlerë. Jetë pa vlerë. Jeta në një vend të lirë. I lirë sepse nuk ka kush ta zërë. I lirë sepse nuk qarkullon asnjeri. E me çfarë të qarkullojnë. Që të qarkullosh duhet të kesh mjete. Që të kesh mjete duhet të ecësh në rrugë. Që të ecësh në rrugë duhet të dish drejtimin. Po kush e di drejtimin? Thuhet se xhaketat e dinë drejtimin. Thuhet. Por xhaketat nuk qarkullojne në rrugë. Xhaketat fluturojnë. Fluturojnë pranë dritës. Thuhet. Njerëzit lakuriq enden në errësirë. Kjo dihet.

Jeta në një vend të lirë. I lirë sepse asgjë nuk kushton. Fjala për shembull nuk kushton. Eshte e lire. Pse të kushtojë? Fjala nuk kushton sepse e teprojne me oferta. Mungojnë kërkesat. Nuk funksionon tregu i lirë. Tregu i mendimeve. Nuk ka diskutim. Ka shumë për të diskutuar. Nuk ka si të ketë. Ka vetëm poezi. Për mendësh. Recitime pleshtash. Pleshtat e xhaketave. Pleshtat recitojnë. Në teatrin "Kuvendi Popullor" vazhdon komedia "Kthimi i Doktorit-Hakmarrja". Paguhen duartrokitjet. Hyrja pa biletë. Hyrja vetëm me ftesë. Ftohen vetëm ata që duartrokasin. Të tjerët presin radhën. Jashtë. Presin spektaklin tjetër.

Historia shkul flokët. Nuk hyn dot. Pleshtat do të hyjnë në histori. Me gjithë madhështinë e tyre. Pleshtat do të pickojnë historinë. Shenjat e pickimeve nuk do të jenë të kuqe. Pleshtat e urrejnë të kuqen. Pleshtat në këtë rast bëhen dema.Veç se demave ua tregon të kuqen. Pleshtat e njohin vetë. Kur sulmojnë ulërasin: "I kuq! I kuq!". Pleshtat nuk njohin më njëri tjetrin.

Rastësisht flamurin e kemi të kuq. Rastësisht qielli është blu. Por pleshtat nuk e njohin më as qiellin. Qielli është i kuq. Pleshtat ngatërrojnë qiellin me perëndimin. Të kuqtë perënduan. Por pleshtat nuk dinë të perëndojnë. Ndonëse e urrejnë të kuqen e perëndimit, bluja i pengon. Pleshtat vuajnë nga forma të lehta daltonizmi. Blu e kuqe. E kuqe blu. S'merret vesh.

Njerëzve lakuriq i përzihet nga ngjyrat. Njerëzit lakuriq shpesh ngatërrohen. Herë herë thonë: më mirë jeshilja. E shpresës? E uniformave? Ose e verdha. E diellit? E ankthit? Hë për hë e zeza. E errësirës. E hekurave. E heshtjes. E zeza gjithmonë. E zezë sociale. Demozi. Jo demon i zi, jo. As demokraci.

Vendosni një ngjyrë dreqi ta hajë. Uluni dhe diskutojeni. Xhaketat mund t’ju ndihmojnë. Por xhaketat nuk duan të ndihmojnë për ngjyrat. Xhaketat preferojnë të flasin për motin. Motin sot dhe parashikimin për nesër. Duke shtuar krahasimin me dje. Xhaketat janë vetëm për analizë. E ç’të thuash për motin. Epo për diçka duhet të flasim dreqi ta marrë. Kot nuk jemi ulur. Rrumbullak. Atëherë nuk flasim. Vetëm shihemi.

Luajmë? Me letra. Letrat të jenë me vlerë. Cdo letër të ketë një votë. Edhe ato të të vdekurve. Edhe ato të të palindurve. Hedhim fall për të ardhmen.Vëmë bast. Vëmë bast që gjërat përsëriten. E hedhim në votë? Nuk dimë të numërojmë. Numërojmë keq. Numërojmë votat. Veten. Forcat. Numërojmë numrat. Numërojmë mbrapsht. Të ardhmen. Numërojmë me barkun bosh. Të ardhmen me barkun bosh.

4 comments:

  1. Wow - kete une nuk e kisha lexuar.

    I love it!!!

    Konciziteti i fjalive eshte grushtdhenes. Zinzhiri i metaforave shpaloset pa pikpresje, pa hezitim, pa medyshmeri. Dhe pika e mbylljes - nje ndergjegjesim...trishtimi!

    Mos ndalo e dashur, por vazhdo - jo vetem per vete, por dhe per te gjithe ne!!!
    Migenaxx

    ReplyDelete
  2. Pershendetje,
    Ky eshte paradoksi i jetes shqiptare.Te jetosh per te punuar apo te punosh per te jetuar? Dhe nqs jeton a punon? Dhe nqs punon a jeton??? Kush punon per te jetuar ?? Kush jeton per te punuar???

    ReplyDelete
  3. une e kisha harruar kete shkrim...qe (per fat te keq) mbetet aktual

    ReplyDelete
  4. "E ardhmja me barkun bosh" eshte figment fantazie si shume te tjerat (apo gjithcka tjeter!)--- nuk ka alternative per vendin e "letrave me vrime".

    Kurioze eshte se nje figment tjeter, "realiteti", do thoshte "e shkuara me barkun bosh", por ne vendin e pleshtave nuk ka "te tashme"; kembet e fantazise i kemi shume te gjata per rruge tranzitore.

    Kurre s'i kisha pare pleshtat ne nje drite kaq optimiste!

    ReplyDelete