Saturday 13 March 2010

Rend or Marathonomak

Rend or rend, rend or Marathonomak. Largohu ti, ik. Mos mbaj shpresë te ato, hordhitë e huaja. Aty gdhihen. Aty ngrysen. Aty hanë e pinë. Aty marshojnë. As nuk thurin. As nuk çlirojnë. Ik sa më shpejt. Jepi këmbëve. Se beteja nuk fitohet. As qyteti nuk shpëtohet. Mbathja ti. Shpëto veten.

Rend or Marathonomak. Gjej një vend e struku. Larg a afër, ku të ndodhet. Në Athinë, në Romë, në New York. Ku të jetë. Veç këtu mos rri. Mos u tremb kur të shpotisin me fjalë. S’ka më mirë se kur nuk di ç’të thanë. Mos u përpiq ta mësosh. E mos u tut kur të zgurdullojnë sytë. S’ka më mirë kur harron si të panë. Mos u mundo ti kuptosh. Vetëm ik. Hip e zbrit. Petrit, Marathonomak!

Djersë e gjak pikon or Marathonomak. Kjo dihet. Nuk je i pari ti. Ti veç shih të rrish gjallë. Lajme po, nuk pret njeri. Kanë hequr dorë. Nuk duan ti dëgjojnë. Prandaj ti shko. Merr atë flamur e shko. Veç jo ashtu, hajdtuçe, or Marathonomak. Merre sikur të përket. Jo sikur ta kanë falur. Ty mund të të hyjë në punë. Atyre jo. Kur është ftohtë të mbulon. Kur bën vapë të freskon. Kur lodhesh e shtron në tokë. Kur zë pluhur e shpalos. E, po nuk vlejti as për aq, mbase e shet rrugës. Nxjerr ndonjë lek për vete. E shtyn edhe ndonjë ditë. Merre or Marathonomak. Kuqo, Marathonomak.

Gryka, po, të është tharë or Marathonomak. Edhe këmbët, po, të janë mpirë. Veç pa mendo ata të tjerët. Ata me grykë të çarë. Ata me këmbë në varr. Ata mjeranët. Ata fuqibraktisurit. Ata s’të ndjekin dot. Po ti lëri. Ç’e vret mendjen për ta. Kush e vrau mendjen për ty. Ti je me fat. Vetëm ik shpejt. Shpejt se të arrijnë. I dallon ato, uniformat blu, aty në horizont. Vetëm nga ato ruhu. Ruhu kur të kalosh. Ato prandaj janë ngulur aty. Për njerëz si puna jote. Ata s’mashtrohen lehtë nga flamurët. Shpejt, or Marathonomak!

Për drejtimin po, s’të vë faj që pyet. Atëherë dëgjo. Se kjo nuk përsëritet. Sytë do ti mbash andej nga perëndon dielli. Andej nga sheh të gërvishtet qielli. Aty shiko. Mos u shkëput. Lëri kroin e zogjtë. Lëre natyrën, or Marathonomak. Vetëm me asfaltin ke punë. Vetëm në asfalt vrapo. Lëri hijet e lisave. Hijet e lisave janë për varrdergjurit. Po ti je gjallë. Natyrisht që je i gjallë, or Marathonomak. Ç’ke që pyet. Pse dyshon. Kush dyshon, është. Ja këtë se kishe dëgjuar. Turru tani. Tutje or Marathonomak!

Eh, më në fund u nise edhe ti or Marathonomak.Kështu të ka hije. Jo të trembesh e të më qahesh. Për kaq pak. Per dy gisht pluhur e për ca shkallë vapë. E për një ferrë e për ca gurë. Hë tani. Edhe për pak. Vetëm për pak i ke këto. Aty ku shkon ti nuk ka pluhur. I nxehti ligështon vetëm kafshët. Ferra e gurë po, mund të ketë. Po veç për zbukurim, si stoli grash. Nuk të zënë rrugën. E nuk të ndalin vrapin. Hiç mos ki merak. Ti vetëm mos u dorëzo. Rend, ja ashtu siç je. Me gjoks të përvëluar e me sy të verbuar. Furr', or Marathonomak!

Veçse, i ngathët si ora që ka ngecur je, or Marathonomak. Shumë ndalon. Sheh tymin që të lëshojnë grykët e druhesh. Ndjen zemrën që të gulçon në brinjë e mendohesh. Por rreziku nuk të kanoset nga vetja. Nuk është tretur njeri nga vrapi. Nuk fitojnë ata që humben me pyetje. Sigurisht që ia vlen or Marathonomak. Deri tani ç’kishe. Ku ishe. Ç’po bëje. As luftove, as qëndrove. Vetëm u rrokullise si ajo shishja kur shqelmohet. Ç’më çakërrit sytë ashtu i hutuar. Ja tani, edhe dhe një herë që të vjen rradha, rri e përpëlitesh. Ik mor frikacak. Mbahu, or Marathonomak!

Edhe në s’vrapon për vete, mendo pak për të tjerët. Për nënën, për motrën, për nusen. Si të porositën në të ndarë. Ato nga ti presin, or Marathonomak. Ku do ti braktisësh aty, të shkretohen. Të ngordhin për një kafshatë. Ku do të degdisen. Ti pse dridhesh. Udhët me pengesa një herë përshkohen. Çdo ikje ashtu shfaqet, llahtar. Pastaj ia merr dorën. Arrin ti e forcohen ato, siç forcohet balta. E ku i dihet mbase vijnë. Jo me vrap, or Marathonomak. Pse të vijnë me vrap. Vrapin një herë e ke ti kusur, pastaj shtrohet rruga. Balta thahet. Pastaj i ke gjthmonë pranë. Pranë, or Marathonomak.

Tani po, që tu shtua fuqia. Hajde, ja se Athina s’është larg. Ja qyteti, njerëzia. Eh Marathonomak. Tani po që rend si duhet. Shiko, shiko, unë thashë se ty tu mbush mendja. Ti paske marrë vrapin nga frika. Po mbase nuk e kanë me ty or Marathonomak.Të thashë, ti mos u përgjigj. Bëj sikur s’sheh. Bëj sikur s’dëgjon. Mbase s’të vunë re. Edhe atë ta thashë, kujdes nga ata me uniformë. Hë dhe pak. Hajde, or Marathonomak.

Po ç’e do, ja, të arritën. “Mos më kapni!” ulërite. Po kush të ve vesh or Marathonomak. Kush i kupton ato llomotitjet e tua. Ç’i duhet atyre nga vjen ti. Ç’i duhet atyre kush fitoi e kush humbi. Ç’i duhet kush u nis e kush mbeti. Ç’i duhet kush flamur valëvitet. Unë të thashë, rend. Rend se s’ke kohë. Rend se s’ke rrugë tjetër. Po ti do të mendohesh. Ti filozofi barkshpuar. Ti mendimtari rrobaçjerrë. Të thashë. Rend or Marathonomak. Se mos je i pari ti që shoh. I pari që e provon. Tani përpëlitu në tokë. Aq ishte, vdiq. E ç’rëndësi ka në vdiq vetë a e goditën. Vdiq, or vdiq! Vdiqe, or Marathonomak.

E ku do të rendësh tani, or Marathonomak. Ku do të rendësh duke bërtitur. Ku ke më zë ti. Të vdekurit nuk flasin. Flasin ata që shkruajnë për ta. Për ty, shkruajnë: “Nëpër shekuj faqenxirë”. E të tjera si këto. Si për ty, si për ata që u nisën para teje e nuk mbërritën. Si për ata që do ta provojne prapë.

E di or Marathonomak, e di unë. I vogli e shtrin viganin. Edhe i shtypuri tiranin. Për këtë nuk kam dyshim. E besoj plotësisht. Po ti kot që ta kishe provuar tjetërsoj. Për ty njëlloj do të ishte shkruar: “faqenxirë”. Ishe vetëm. Vetëm, or Marathonomak.


Rent or Marathonomak (nga F. S. Noli)


Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!



Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush' e brek mi brek
Këmba tokën as t'a prek,
Hip' e zbrit,
Petrit, Marathonomak!



Ke një plagë, po s'e the,
Djers' e gjak pikon për-dhè;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!



T'u tha gryka, po s'të pihet,
T'u mpi këmba, po s'të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!



Kurrë kaqë s'dogji djelli
Dhe si plumb s'rëndovi qjelli,
Kurr' aq ëmbël' e bukur s'ftoj
Hij' e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!


Vapa mbyt e pluhri nxin
Ferra çjerr e guri grin
Afsha gjoksin përvëlon
Syrin avulli verbon;
Ur' e prush,
Furr', or Marathonomak!


Gryka si gjyryk të çfryn
Prej Vullkani flag' e tym
Se ç'vëngon e se ç'gulçon,
Zëmra brinjët t'i çkallmon
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!


Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s'janë veç Najada
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!


Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan' e që të çquan
Dhe fuqinë t'a rishtuan
Ha dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!


Ja, arrive, ua the:
Ç'gas e ç'helm qe kjo myzhde!
"E fituam!", brohorite
Dhe për tok' u përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!


Rent kudo, dyke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!

No comments:

Post a Comment